Kryeministri Hristijan Mickoski, sot ka pranuar funksionin e kryeministrit nga paraardhësi i tij, Talat Xhaferi.
“Gjatë pranim dorëzimit zyrtar të funksionit kryeministror, Kryeministrit të sapo zgjedhur Hristijan Mickoski i urova punë të suksesshme dhe efikase në interes të të gjithë qytetarëve.
I theksuam zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike si vlerë e shtuar e euro integrimeve. Shpreha shpresë se subjektet politike do të tregojnë nivel të lartë të vetëdijes politike dhe do të jenë të hapur për bashkëpunim për prioritetet strategjike të shtetit”, ka shkruar Xhaferi në profilin e tij në Facebook.
Xhaferi i dorëzon funksionin e kryeministrit Hristijan MickoskitDeputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut mbrëmë votuan për qeverinë e re, që do të udhëhiqet nga Hristijan Mickoski, ndërsa do ta përbëjnë koalicioni i OBRM-PDUKM-së “Maqedonia jote”, koalicioni shqiptar “VLEN” dhe partia “ZNAM”.
Për zgjedhjen e qeverisë së re, votuan 77 deputetë, 22 ishin kundër ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Ndryshe,
OBRM-PDUKM zgjodhi Vlado Misajlovskin për Ministër të Mbrojtjes, Pançe Toshkovskin për Punë të Brendshme, Timço Mucunskin për Punë të Jashtme, Gordana Dimitrieska-Koçoskën për Financa, Sanja Bozhinovska për ministre të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, ndërsa i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave është Cvetan Tripunovski.
Ministër i Transportit është Aleksandar Nikolovski, për Vetëqeverisje Lokale Zllatko Perinski, për Arsim dhe Shkencë Vesna Janevska, për Kulturë dhe Turizëm Zoran Ljutkov, për Transformim Digjital Stefan Andonovski dhe Ministër i Sportit është Borko Ristovski.
Ministrat shqiptarë nga radhët e koalicionit “VLEN” janë ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, ministri i Planifikimi Hapësinor dhe Mjedisit Izet Mexhiti dhe ministri pa portofol Arben Fetai.
Dy ministrat nga partneri më i vogël i koalicionit qeveritar të partisë “ZNAM” janë ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe ai i Administratës Publike Goran Minçev.
Shumica parlamentare, e cila përfshin koalicionin e OBRM-PDUKM-së, “VLEN-in” dhe “ZNAM-in” ka gjithsej 78 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.