Niclas Fuellkrug ka shënuar gol në minutën e 92-të për të evituar humbjen e Gjermanisë nga Zvicra.
Zvicra e Gjermania barazuan 1:1 të dielën mbrëma në Frankfurt, në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit A të Euro 2024.
Zvicra ishte shumë afër fitores së parë ndaj Gjermanisë në ndeshjet garuese. Por Fuellkrug goditi bukur me kokë në minutat shtesë për të barazuar rezultatin në 1:1, me të cilin edhe përfundoi takimi interesant.
Dan Ndoye kaloi në epërsi Zvicrën në minutën e 28-të.
Fuellkrug u aktivizua në minutën e 76-të, por në minutën e 92-të u shkëput në zonë dhe goditi saktë me kokë.
Gjermania ka dominuar në fushë. Topin e kishte në 62 për qind të kohës, ndërsa i ka krijuar plot 18 raste. Helvetikët i kishin vetëm katër raste. Sa u takon goditjeve në portë, të dy përfaqësueset i kishin nga tri. Dhe në fund Zvicra e Gjermania morën nga një pikë.
Gjermania e ka fituar grupin me 7 pikë, ndërsa Zvicra avancon në një të tetën e finales nga pozita e dytë. I ka pesë pikë.
Gjermania fitoi 5:1 ndaj Skocisë e 2:0 ndaj Hungarisë. Por me Zvicrën kishte telashe të mëdha për të shënuar.
Zvicra fitoi 3:1 ndaj Hungarisë dhe luajti 1:1 me Skocinë.
Granit Xhaka udhëhoqi lojën e Zvicrës. U shqua me paraqitjen në mesfushë. Selektori i Zvicrës, Murat Yakin vendosi të mos e aktivizojë fare yllin e përfaqësueses, Xherdan Shaqiri. Në stol mbeti edhe Ardon Jashari.