Masat që Kosova ka ndërmarrë në muajin mars për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, siç janë kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, shlyerja dhe shtyrja e obligimeve tatimore ka ndikuar në uljen e të hyrave në Administratën Tatimore Kosovës (ATK).
Një nga bizneset që pas marrjes se vendimit të qeverisë nuk ka paguar një pjesë të tatimit, është kompania “Pestova” nga Vushtrria.
Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi për Radion Evropa e Lirë, thotë se në muajin e parë ka shfrytëzuar vendimet e qeverisë, por tashmë është i rregullt në përfundimin e detyrimeve ndaj Administratës, edhe pse thotë ai, kompania “Pestova” ka pasur vështirësi financiare gjatë masave kufizuese.
Kosumi madje tregon se për t’u përballuar me situatën financiare dhe krijimin e linjave të reja prodhuese, ka marrë kredi në një nga bankat komerciale që operojnë në Kosovë.
“Në fillim të pandemisë kemi shfrytëzuar ato shtyrjet e deklarimeve dhe për pagesa të tatimeve për një muaj, mandej jo. Kemi pasur probleme shumë sikurse të gjitha bizneset në Kosovë dhe më gjerë, por më pas kemi qenë në gjendje më të mirë dhe i kemi paguar obligimet rregullisht. Kredia është marrë edhe për linje prodhuese dhe ruajtjen e likuiditet, zvogëlimin e parasë se gatshme për të mbuluar vitet e ardhshme”, thotë Kosumi.
Ilir Murtazaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, thotë se në pesëmujorin e parë të këtij viti ka pasur rënie të të hyrave nga tatimet.
Nga muaji janar e deri në muajin maj, të hyrat në Administratë kanë qenë mbi 186 milionë euro apo 22 milionë euro më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Njëkohësisht janë edhe vendimet e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pasi periudha për pagesa të detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale është zgjatur deri më 15 maj 2020, si dhe pagesa e kësteve tremujore është zgjatur deri me 30 qershor 2020”, tha ai .
Rënien e inkasimit të të hyrave, Murtezaj e ndërlidhë edhe më rënien e qarkullimit të bizneseve. Sipas të dhënave të ATK-së për muajin prill, rreth 44 për qind kanë pësuar rënie të qarkullimit bizneset krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të 2019.
Edhe Bedri Kosumi nga kompania “Pestova” tregon se gjatë kësaj periudhe kanë pasur rënie të qarkullimit.
“Në muajin mars kemi pasur 12 për qind rënie, në prill më tepër se 20 për qind dhe në muajin maj 8 për qind rënie”, thekson Kosumi.
ATK nuk arrin të përmbushë projeksionet e planifikuara vjetore
Vendimet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi, do të ndikojnë edhe projeksionet e planifikuara vjetore, thotë Murtezaj.
Sipas projeksioneve të paraqitura në buxhetin e miratuar në mars të këtij viti, është paraparë që ATK-ja të mbledhë 557 milionë euro. Por, sipas Murtezajt kjo është shifër është vështirë e realizueshme.
“Në Administratë Tatimore, edhe pse është herët të parashikojmë fundin e vitit, sipas parashikimeve të brendshme të ATK-së, synojmë që të arrijmë deri te niveli i realizimit i të hyrave tatimore të vitit të kaluar. Që nënkupton edhe pse mund të kemi një rënie të ekonomisë, të paktën ne duke zvogëluar evazionin fiskal të arrijmë te niveli i realizimit të të hyrave të vitit të kaluar”, tha Murtezaj.
Vitin e kaluar Administrata Tatimore e Kosovës, sipas Murtezajt ka arritur të grumbullojë 504 milionë euro. /Rel/