Dy persona nga komuna e Ferizajt janë arrestuar të mërkurën nën dyshimet për veprën penale “spiunazh”. Prokuroria Speciale ka ndaluar persona për 48 orë. Në anë tjetër, për rastin kanë folur edhe ekspert të sigurisë, teksa në media janë raportuar edhe “detyrat” që kanë pasur ata nga ana e BIA-s serbe. Çka dihet?
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë arrestuar të mërkurën në Ferizaj pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me shërbimin sekret serb (BIA).
Sipas Prokurorisë Speciale të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për spiunazh.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi””
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi Kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Në anë tjetër, mediat kanë raportuar se se njëri nga të arrestuar është bashkëpunëtor i BIA-s serbe që nga vitet e 90-ta.
“I njëjti, sipas këtyre burimeve kishte si detyrë të mblidhte informata dhe të trillonte me qëllim të njollosjes së imazhit të Kosovës duke ndërtuar narracione të njëjta me Serbinë edhe në kontekstin e ndryshimit të fakteve historike”, raportoi RTK.
Të dyshuarit, sipas mediumit, janë përcjellur që disa vite nga institucionet e sigurisë dhe të njëjtit, i kanë raportuar një zyrtari të shërbimit secret serb i quajtur Sërgjan Rosiq.
“Srdan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb. Emri i tij është përmendur edhe në rastin e gjykimit ndaj kryekriminelit serb Slobodan Millosheviq në Tribunalin Ndërkombëtar të krimeve të luftës në Hagë.” – raportohet tutje.
Ndërkaq sipas raportimeve të Express, të dyshuarit kanë tentuar ta diskreditojnë luftën e UÇK-së.
Madje, sipas medias në fjalë, Shabani ka tentuar ndryshimin e të vërtetës edhe për Masakrën e Reçakut, duke provuar shtrembërimin e së vërtetës.
Për këtë rast kanë reaguar edhe ish-anëtarë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se arrestimi i dy spiunëve shqiptarë në Ferizaj nuk ka qenë diçka e papritur. Kjo sepse, sipas tij, “ka shumë spiuna në Kosovë” dhe se “gjithmonë do të ketë”.
Ndërsa, ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, Serbia investon 40 milionë euro në vit në operacione për ta destabilizuar Kosovën.
Sipas tij, qëllimi i këtyre operacioneve është arritja e qëllimeve destabilizuese dhe kryengritja e serbëve.
“40 milionë në vit janë pare e madhe për një shtet siç është Serbi me investu në Kosovë në operacione. Qëllimi i shërbimeve serbe është mbajtja e Kosovës jostabile, destabilizimi dhe arritja e asaj që dështoi në Banjska që është kryengritja e serbeve të Kosovës”, ka thënë Ramadani në “Pressing” në T7.
Më poshtë mund të shikoni videon se me sa vite burg mund të dënohet të dyshuarit.