Kryeministri Albin Kurti është shprehur i bindur se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të dalë me rezultat më të lartë se në ato të fundit.
Ai ka thënë se nuk u beson sondazheve të partive opozitare që e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje humbëse në zgjedhjet e ardhshme.
“Unë besoj se në zgjedhjet e ardhshme do dalim edhe më të fortë se në ato të shkurtit të vitit 2021”, ka thënë ai për A2CNN.
I pyetur se përse dështuan diskutimet për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, Kurti ka thënë se partitë e tjera opozitare refuzuan propozimin e PDK-së për të shpërbërë parlamentin, për të cilin sipas tij Vetëvendosje ishte plotësisht dakord.
“Prej momentit kur unë ndodhesha në vitin e fundit të qeverisjes, isha i interesuar që të takohem me opozitën dhe ta diskutojmë muajin dhe stinën e zgjedhjeve. Nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesës sime. Kreu i PDK ka dhënë idenë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëse opozita do ishte pro dhe VV do ishte pro. Për mua në vitin e fundit të qeverisjes nuk ka rëndësi në cilin muaj do mbahen zgjedhjet, por në përgjithësi dihet se në Kosovë zgjedhjet mbahen o në pranverë o në vjeshtë. Nëse shkon mandati deri në fund i bie të mbahen në dimër. Por unë kam besuar se është më e logjikshme që tradita të vazhdohet dhe të mbahen në pranverë ose vjeshtë, në koordinim edhe me opozitën”, ka thënë ai.