Kryeministri Albin Kurti derisa ka folur për raportet me presidenten Vjosa Osmani, ka theksuar se ndonëse nganjëherë ka dallime, bashkëpunimi i ngushtë nuk mungon.
Ditë më parë, Osmani ka deklaruar se së fundmi ka munguar komunikimi midis dy institucioneve – Qeveri-Presidencë.
Megjithatë, Kurti tha se diskutime e dallime nuk ka vetëm me Osmanin, por edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, por që sipas tij, nuk janë “të patejkalueshme”.
“Kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme”, ka thënë Kurti të mërkurën.
Ai ka folur edhe për masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për cka konsideron se vonesat për heqjen e tyre ndërlidhen me zgjedhjet e Parlamentit të ri Evropian.
“Kjo nuk varet prej neve, krejt çka varet prej neve tashme ka ndodhur. Ne aso kohe u patëm ndëshkuar padrejtësisht për shkak të eskalimit të situatës në veri të Kosovës dhe ky eskalim ka pasur adresë të qartë sa i përket përgjegjëse dhe fajësisë, ndodhi deeskalimi mirëpo më pastaj ngjau edhe rieskalimi në shtator të vitit të kaluar kur e vranë rreshterin tonë Afrim Bunjakun. Tash gjendja serish ka deeskalur, a do të rieskalojë, përgjigja është në Beograd andaj atje duhet të behet trysnia për të pasur paqe, siguri dhe stabilitet në rajon. Unë besoj që heqja e këtyre masave që po vonohet ka të bëjë më shumë me dinamikat e brendshme të BEashkimit Evropian dhe sidomos me faktin që janë në fushatë zgjedhore për Parlamentin e ri Evropian që mbahen më 9 qershor. Uroj të ketë pjesëmarrje sa më të lartë me ç’rast ftoj mërgatën tonë që ka të drejtë vote që këtë ta bëjnë”, ka thënë Kurti.