Komuna e Prishtinës i ka reaguar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mbi planin rregullues për lagjen Kalabria. Në një komunikatë për media komuna ka shprehur se kjo parti ka bërë akuza të pabaza dhe me qëllime politike për ta penguar procesin e transformimit të kryeqytetit.
PDK-ja të premten në konferencë ka deklaruar se nuk do ta votojë planin për lagjen “Kalabria” me arsyetimin se me këtë plan rreth 15 hektarë tokë publike po vihen në shërbim të ndërtuesve.
Këtë, Komuna e ka lexuar si “sabotim” të punës së saj nga PDK-ja.
“Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë bërë akuza tërësisht të pabaza dhe me qëllime puro politike për të penguar një proces të transformimit të Kryeqytetit, Planin Rregullues për Lagjen Kalabria. Veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën kur Partia Demokratike e Kosovës ka tentuar përmes sabotimit të shumë proceseve të ndalin punën tonë”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Më tej ka shpjeguar se plani rregullues për “Kalabrinë” ka kaluar nëpër procedurat e parapara ligjore për dokumentet e tilla, se dokumenti është hartuar nga një grup punues me ekspertë të drejtorive përkatëse, përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtar të planifikimit urban. Ka thënë se ka kaluar edhe nëpër periudhën 30 ditore të konsultimeve publike me banorët e lagjes.
Plani parasheh rritjen e vlerës së ndërtimit në pronën komunale, ka thënë tutje Komuna e Prishtinës duke theksuar se “qëllimi i ngritjes së kësaj vlere të ndërtimit është që investitorët potencial që shprehin interes për investim në këtë pronë komunale, do të kushtëzohen me ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit dhe Fshatit Olimpik”.
“Unaza e Kryeqytetit kap një vlerë prej rreth 350 milion Euro (rreth 150 milion eksproprijim të pronave private dhe rreth 200 milion ndërtim) ndërsa Fshati Olimpik rreth 200 milion Euro.
Pra, me miratimin e këtij Plani Rregullues mund të financohen këto dy projekte madhore të Kryeqytetit që arrijnë vlerën totale rreth 550 milion Euro”.
Sipas Komunës, plani nuk do ta dëmtojë pronën publike e as nuk rëndon buxhetin e kryeqytetit.