Ndërkohë që buka, pastat, orizi i bardhë e bulmeti deri tani janë konsideruar si “ushqime të këqija” për ata që duan të humbin peshë, në të vërtetë mund të jenë të mira, shkruan Eating Well.
Bulmeti
Deri më tani, për dikë që dëshiron të humbë peshë, janë parë rekomandime të tilla si konsumimi i produkteve të bulmetit që gjenden në treg me më pak yndyrë, por studimet sugjerojnë se përfshirja e bulmetit pa yndyrë të reduktuar, në mënyrën e të ngrënit, do të jetë mjaft efektiv kundër peshës së tepërt.
Një studim që është bërë në vitin 2020, i cili u publikua në Advances in Nutrition, ka analizuar se a ndikon për të keq bulmeti me yndyrë tek mbipesha e fëmijëve, ku autorët e studimit nuk gjetën ndonjë lidhje mes tyre.
Një tjetër studim ka sugjeruar se bulmeti që përmban yndyrën e vet, nuk ka pasur efekt në mbipeshën te fëmijët.
Sipas studimeve në mbipeshë nuk ndikon bulmeti me yndyrë, por ushqimet e shumë procesuara, të cilat kanë kalori të shumta pa vlera ushqyese.
Karbohidratet
Ushqime që përmbajnë karbohidrate si p.sh. pastat, buka dhe orizi, shpesh konsiderohen të jenë ushqime “të këqija” sa i përket peshës së tepërt. Megjithatë këto ushqime mund të jenë pjesë e mënyrës së të ngrënit edhe për humbje peshe, nëse konsumohen në mënyrë të balancuar.
Për më tepër karbohidratet që janë pjesë e drithërave të plota, si orizi ngjyrë kafe dhe kinoa, përmbajnë më shumë fibra, të cilat rregullojnë tretjen si dhe apetitin gjë që kontribuon në peshën e shëndetshme trupore.
Vezët
Vezët po ashtu konsiderohen si ushqim jo i mirë për mbipeshën, sepse ato përmbajnë kolesterol.
Por konsumimi i vezëve nuk ndikon direkt në rritjen e kolesterolit të keq në gjak, e as në sëmundjet e zemrës, përkundrazi ato mund të jenë pjesë e një plani të mirë për humbjen e peshës.
Koleseroli i keq konsiderohet të jetë ai që gjendet në ushqimet e shumë procesuara.
Patatet
Patatja është perime që përmban niseshte, e për shkak të kësaj përmbajtjeje ajo ka reputacion të keq dhe shpesh është thënë se duhet anashkaluar nga njerëzit që duan të humbin peshë.
Por niseshteja që gjendet në patate është natyrale dhe mund të ndihmojë në humbje peshe sepse kjo niseshte njihet si rezistente, e cila është lloj karbohidrate që mban nën kontroll apetitin.
Prandaj niseshteja artificiale që gjendet në ëmbëlsira e ushqime të tjera të shumë procesuara ndikon në mbipeshë.
Kokoshkat
Njerëzit mund të mendojnë se kokoshkat janë ushqim “i keq” për mbipeshën, por ato përmbajnë fibra dhe janë drithë e plotë që nuk përmban kalori të shumta.
Një studim ka treguar se personat që konsumojnë kokoshka nuk shtojnë peshë, kur janë krahasuar me ata që konsumonin patatina.
Megjithatë është e rekomandueshme që kokoshkat të përgatiten në shtëpi në mënyrë që të keni nën kontroll sasinë dhe llojin e vajit që përdorni për t’i përgatitur. Kokoshka jo të mira e kalorike, konsiderohet të jenë ato që janë të gatshme, pasi janë të shumë procesuara e të mbushura me përforcues shijesh, përbërës këta që ndikojnë në shtim peshe.