Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media ka prezantuar vendimet e reja kundër pandemisë COVID-19.
Zemaj ka thënë se nga dita e hënë do të hiqet kufizimi i lëvizjes, si dhe për qytetarët që hyjnë në Kosovë do të jenë rregulla të reja.
“Me hapjen e kufijve, IKSHPK rekomandon kontrollin e detajuar për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë, duke marrë shënime të sakta të vend qëndrimit të tyre, numrin e telefonit, dhe përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSH-së, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose të dyshimtë për COVID-19.
Nga e hëna, qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit për shtatë ditë, ndërsa në vend të testimit të obliguar për COVID-19, për ata që hyjnë do të jenë kontrollat nga ekipet mjekësore në pikat kufitare”, tha ai.
Adresimi i Ministrit të Shëndetësisë në konferencën e sotme për media
Ministri Zemaj: Me masat e reja të krijojmë lehtësi të lëvizjes duke rritur kujdesin
Që nga dita e hënë, 8 qershor 2020, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nga cili do shtet, nuk do t’i nënshtrohen masës së vet-izolimit shtëpiak 7 ditor.
Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për Covid -19 për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.
Prishtinë, 6 qershor 2020
Të nderuar qytetarë
Të nderuar përfaqësues të Mediave,
Shumë të respektuar profesionistë shëndetësorë, policë, inspektorë, zjarrfikës, doganierë, kryetarë të komunave dhe shërbyes të tjerë;
Më lejoni të ju falënderoi për angazhimin tuaj në përballje me pandeminë COVID-19 dhe për përkushtimin që po tregoni që të vazhdoni edhe më tutje të jeni përkrah qytetarëve në përballje me këtë emergjencë të shëndetit Publik.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, nga aktiviteti ditor rreth menaxhimit të situatës epidemiologjike dhe nga vizitat në terren, përfshirë edhe vizitën e sotme në komunë e Vushtrrisë, në këtë fundjavë ka konstatuar situatë të qëndrueshme me rritje të lehtë të rasteve javën e fundit në disa komuna si rezultat i moszbatimit të rekomandimeve nga një numër i qytetarëve të cilët lehtësimin e masave e kanë kuptuar si shkuarje e virusit.
Virusi akoma është aktiv edhe pse me një rënie në intensitet, por që kërkon kujdes dhe angazhim të gjithëve në zbatimin e rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar.
Pas analizës së bërë të situatës së fundi, me hapjen e kufijve në lehtësimin e masave për qarkullimin e lirë të qytetarëve, Instituti Kombëtar rekomandon:
- Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënimet e sakta të vendqëndrimit në Kosovë (adresa dhe numri i telefonit) për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF të komunave përkatëse.
- Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSh, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet e eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose persona të dyshimtë në COVID-19.
Prandaj, bazuar në këto rekomandime:
· Që nga dita e hënë, 8 qershor 2020, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës nga cili do shtet nuk do t’i nënshtrohen masës së vet-izolimit shtëpiak 7 ditor.
· Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për Covid -19 për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave.
· Bazuar në situatën epidemiologjike, MSh do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Republikën e Shqipërisë, derisa kemi adresuar edhe kërkesat e shumë studentëve dhe qytetarëve të komunave nga Lugina e Preshevës, në mënyrë që edhe ndaj tyre të mos aplikohen kufizime që ju paraqesin pengesa për lëvizje të lirë me Kosovën.
· Gjithashtu, nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00-05:00.
Ministria e Shëndetësisë bashkë me IKSHPK-në do të vazhdojnë të përcjellin situatën epidemiologjike dhe të mbështes institucionet shëndetësore.
Por, kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet duke qenë se akoma nuk ka kaluar rreziku dhe shfaqja e rasteve të reja si pasojë e moskujdesit, mund ta mbingarkojë sistemin shëndetësor me pasoja të paparashikuara që do të çonin në rritje të numrit të rasteve dhe rrezik për jetën e qytetarëve.
Kërkojmë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse duke respektuar në mënyrë strikte distancimin fizik, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve shtëpiake dhe të punës, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit.
Prandaj, kërkojmë nga qytetarët, bizneset, gastronomia dhe sektorët e tjerë që në mënyrë strikte të respektojnë këto masa me qëllim që të shkojmë para me lehtësime të tjera.
Inspektorati Sanitar i AUVK-së dhe Inspektoratet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin per Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa përgjegjësie në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.
Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.
Nuk ka të drejtë askush të rrezikoj jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.
Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme duke pasur parasysh situatë më të rënduar epidemiologjike në shumë shtete të botës.
Me që jemi në sezonin veror, zbatimi i masave ka rëndësi të veçante ashtu që të krijohen mundësitë që të përballojmë edhe fluksin e madh të bashkë-atdhetarëve, të cilët gjatë verës vijnë në Kosovë.
Prandaj, po kërkojmë kujdes, lehtësimi i masave gjithsesi duhet të përcillet me rritje të disiplinës në zbatimin e tyre, pasi që akoma ekziston rreziku i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.
Sakrificën tone për të ruajtur shëndetin e konsiderojmë si vlerë sublime, prandaj të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë qëllim.
Profesori Naser Ramadani ndërkaq, theksoi se IKSHPK po vazhdon me testime në popullatë me qëllim të zbaulimit të rasteve me Covid-19 dhe parandalimit të përhapjes së virusit.