Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, po e cilëson si veprim të duhur heqjen e masave të reciprocitetit nga Qeveria që po e drejton Avdullah Hoti i LDK’së.
Sipas ish-ministrit, Kurti i kishte vendosur ato masa për të manipuluar opinionin dhe për përfitime elektorale.
Sipas Hoxhajt, Kosova nuk ka përfituar asgjë nga reciprociteti, siç e quan ti, gjysmak dhe mashtrues.
“Kam qenë kundër reciprocitetit gjysmak të Albin Kurtit, të cilin e bëri për efekte elektorale. Sepse, Kosova nuk përfitoi asgjë prej tij, pos diskursit patetik të instaluar për gjoja mbrojtjen e Kosovës nga copëtimi.”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se ky lloj reciprociteti ka qenë veçse një mashtrim i radhës i Kurtit, pas kauzave të rrejshme me të cilat manipuloi opinionin e Kosovës në vazhdimësi.
“Reciprociteti gjysmak i tij jo vetëm që nuk i solli gjë Kosovës, por vetëm i acaroi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikoi përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe e bëri Serbinë të duket viktimë. “, ka shtruar ish-zv.kryeministri i Kosovës.
Tutje, ai ka lavdëruar vendimin e sotëm të Qeverisë Hoti, edhe pse ka thënë se ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi Kosovën ndërkombëtarisht.
“Vendimi i sotëm i qeverisë Hoti është i duhuri dhe këtë duhet thënë publikisht. Pavarësisht se çka mendojmë për faktin se edhe z. Hoti ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi ndërkombëtarisht Kosovën.”, ka thënë Hoxhaj.