Policia ende nuk e ka gjetur Enver Sekiraqa

Njohësit e sistemit të drejtësisë po konsiderojnë se menaxhimi i rastit Sekiraqa, pas dënimit nga Gjykata e Apelit, ka dështuar. Dhe për këtë, sipas tyre, nuk ka asnjë arsyetim. Policia nuk ka dashur të deklarohet të dielën për rastin, pasi ka thënë se një ditë më herët ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për kapjen e të dënuarit Sekiraqa, i cili ende ndodhet në arrati.

Policia ende nuk e ka gjetur Enver Sekiraqën, të dënuarin me 25 vjet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza. Të shtunën, policia nuk e kishte gjetur të dënuarin në shtëpi, të cilit i ishte bërë thirrje që të paraqitej në organet e rendit. Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se rasti i Sekiraqës është menaxhuar keq.

“Nëse e shohim se si kanë vepruar organet tjera, pra policia e cila nuk ka arritur ta gjejë të dënuarin në këtë rast, Enver Sekiraqën, është për të të ardhur keq për shkak se me një vendim të apelit do të duhej që menjëherë të merreshin hapat konkret në mënyrë që vendimi I apelti të ekzekutohej. …është vështirë të arsyetohet fakti se si një të akuzuari të cilit I është shqiptuar dënimi me 25 vite burgim nuk I është caktuar paraburgimi por I është hequr edhe ajo masë e cila ka qenë në fuqi, pra ajo e arrestit shtëpiak”, tha për RTK-në,Lavdim Makshana hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Për arratisjen e Sekiraqës ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se dyshon për përfshirje në korrupsion dhe qasje joprofesionale të gjyqtarëve.

“Duket që sistemi ynë gjyqësor, për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj, po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet, duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”, ka shkruar ajo në ‘Facebook’.

Mirëpo Makshana konsideron se deklaratat kundrejt gjyqësorit nga kushdo qofshin ato e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe atë prokurorial.

“Prandaj për këtë çështje është mirë që Këshilli Gjyqësor t’i ndërmarrë hapat e jo që Ministria e Drejtësisë apo akterët tjerë qeveritarë të përzihen në njëfarë forme në drejtësi”, tha Lavdim Makshana hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

I akuzuari Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024, për herë të tretë pas kthimit të rastit në rigjykim u dënua me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.