Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është plagosur dhe më pas është dërguar në spital pas një incidenti me të shtëna, raportojnë mediat lokale sllovake, transmeton The Guardian.
Mediumi “Denník N” shkruan se një nga reporterët e tij nuk e pa vetë incidentin, por dëgjoi disa të shtëna dhe më pas pa kryeministrin të ngrihej nga rojet e sigurisë dhe u fut në një makinë.
Zuzana Čaputová, presidentja e Sllovakisë, ka dënuar sulmin ‘brutal’ ndaj kryeministrit, Robert Fico dhe tha se i uron atij shërim, raportoi Reuters.
Mediumi tjetër sllovak “Aktuality” raporton se këto të shtëna ishin atentat.
Gazeta shkruan se të shtënat kanë ndodhur kur kryeministri Robert Fico ka ardhur për të shtrënguar duart me një turmë të vogël njerëzish.
“Jam i tronditur dhe i tmerruar nga të shtënat ndaj kryeministrit Robert Fico në Handlova”, tha Michal Šimečka i opozitës Progresive Sllovake.
“Ne dënojmë pa mëdyshje dhe fuqishëm çdo dhunë”, shtoi ai.
Gjithashtu, opozita e Sllovakisë ka anuluar një tubim të planifikuar për sot.