Kurti për zgjedhjet: Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë të gatshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. 

Kurti ka thënë se Vetëvendosja është e gatshme për zgjedhje të reja, porse opozita duhet të bëhet gati. 

Ai ka folur në panairin e 23-të EXPOKOS. 

“Opozita duhet të bëhet gati, ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat shkon mandati”, tha Kurti të mërkurën. 

I pyetur nga gazetarët pse së fundmi po flet për zgjedhjet, Kurti ka thënë se në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative, pasi kanë mbetur shumë marrëveshje ndërkombëtare pa u votuar”, ka thënë kryeministri.

Kurti së fundmi u takua me kryetarin e PDK-së me të cilin diskutoi edhe për zgjedhjet. Ka thënë se të gjitha partitë  duhet të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Teksa PDK-ja është shprehur pro shpërndarjes së Kuvendit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin e Kurtit.