Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.
Në letrën të cilën Kurti ia ka dërguar kreut të LDK-së të premten (10 maj), Lumir Abdixhiku, bëhet e ditur se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.
Kurti thotë se arsyeja se pse e ka ftuar në takim kreun e LDK-së dhe shefin e Grupit Parlamentar, Arben Gashin, si dhe drejtuesit e dy partive të tjera parlamentare [PDK e AAK] është për të diskutuar hapat për përmbushjen e agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror.
“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legjislative për sesionin pranveror”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.