Ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ata që hyjnë në Kosovë duhet të kenë bërë paraprakisht analizën për COVID-19.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kërkojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse, duke respektuar në mënyrë strikte distancimin fizik, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve shtëpiake dhe të punës, për të pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe për të shmangur përhapjen e virusit brenda hapësirave të mbyllura”.
“Situata epidemiologjike është duke u monitoruar në vazhdimësi, me angazhime për të mos lejuar përkeqësimin, që do të na detyronte të kthehemi prapa dhe të marrim masa shtesë në parandalimin e pandemisë që do të nënkuptonin edhe ndalesat e disa veprimtarive që tashmë janë hapur dhe po funksionojnë normalisht, gjithmonë të obliguar që të zbatojnë rekomandimet e IKSHPK”.
“Njëherësh dëshirojmë të informojmë qytetarët se të gjithë ata që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të kenë bërë paraprakisht testin në COVID-19 ose të vetizolohen për 7 ditë duke qëndruar në shtëpi, duke iu shmangur kontakteve me të afërmit dhe duke mbajtur distancën dhe higjienën personale. Çdo shkelje e këtyre rregullave do të ishte rrezikim i shëndetit të tjerëve që është e ndaluar edhe në bazë të Ligjit për parandalimin e dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”, ka thënë Zemaj.