Qeveria e Kosovës me në krye Avdullah Hotin, po mban mbledhjen e parë të rregullt.
Kryeministri Avdullah Hoti duke folur për prioritetet e qeverisjes së tij tha se pandemia, dhe rimëkëmbja ekonomike pas saj qëndrojnë të parat në listë, shkruan lajmi.net.
“Prioritet i dytë është rimëkëmbja ekonomike, ku kemi masat afatshkurta për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, dhe më pastaj edhe masat afatgjata. Ndër këto masa janë edhe zvogëlimi i barrës tatimore, për të mundësuar që bizneset ta përballojnë këtë situatë. Janë edhe disa masa për t’i ndihmuar buxhetit të familjeve në Trustin Pensional. Do të merremi edhe me rishikimin e buxhetit për të krijuar fondin për rimëkëmbjen ekonomike, për të futur fondin prej 1.2 miliardë euro. Janë të parapara në detaje edhe burimi i fondeve prej 1.2 miliardë euro. Për gjithë mandatin qeverisës kemi reformat institucionale, duke filluar nga ligji i ri për qeverinë, si dhe ligji i ri për ndërmarrjet”, tha Hoti.
Hoti po ashtu tha se qeveria e tij do të jetë e pakompromis në luftën kundër korrupsioni.
Ai shtoi se qeveria e tij do të angazhohet edhe në përmirësimin e procesit zgjedhor në Kosovë.
“Do të jemi të pakompromis ndaj luftës kundër korrupsionit. Do të angazhohemi në përmirësimin e procesit zgjedhor. Do të kujdesemi edhe për disa grupe të margjinalizuara të shoqërisë”, tha Hoti.
Në rend të ditës është edhe miratimi i programit qeverisës, që pritet të votohet më vonë.