Është plagosur me armë zjarri një person sot në Fushë Kosovë. Rastin per Front Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti. Ajo tha se rasti ka ndodhur në rrugën “Bedri Pejani”.
“Sot rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Bedri Pejani” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarje”, tha Ahmeti.
Më tutje, Ahmeti konfirmoi se lidhur me rastin është identifikuar një person i dyshuar.
“Në këtë rast, nga arma e zjarrit lëndime trupore ka pësuar një person dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e personit të dyshuar i cili është identifikuar si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë tutje ajo.