Sot do të jetë takimi i radhës në Bruksel ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb, Petr Petkoviq për çështjen e dinarit serb.
Dy muaj më parë ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për transaksionet me para të gatshme, ku thuhet se e vetmja valutë zyrtare është euro, duke përjashtuar kështu dinarin nga qarkullimi.
Lidhur me takimin që pritet të mbahet sot ka shkruar ditë më parë i dërguari i Bashkimi Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë dallimet të enjten”, shkruan ai.
Ndërkaq, pas takimit të fundit, më 25 mars në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Bislimi ka shprehur nevojën për një takim shtesë për zgjidhjen e çështjes së dinarit serb.
“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Pavarësisht përpjekjeve për afrim, duket se është e nevojshme një takim shtesë, i cili ndoshta do të ndodhë javën e ardhshme nëse zoti Lajçak e gjykon të përshtatshëm”, ishte shprehur Bislimi.
Ai nuk ka dhënë detaje të hollësishme rreth propozimeve të diskutuara në Bruksel, të ndërmjetësuara nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke shpjeguar se zbulimi i detajeve mund të kishte një ndikim negativ në procesin.
“Ne kemi dy propozime. Jemi të vetëdijshëm për fokuset e secilës palë, por në këtë moment është më e mençur të mos zbulojmë detajet për të mos dëmtuar procesin negociator”, kishte thënë Bislimi.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.