Fetim Kasapi i ka 22 vjet karrierë në futboll, e 17 prej tyre i ka të kaluara te klubi i qytetit, Besa e Pejës.
Kapiteni i skuadrës pejane, Kasapi, 5 vjet të karrierës së futbollit i ka luajtur edhe në Mal të Zi e Shqipëri dhe 6 muaj në Suedi dhe vazhdon të jetë njëri nga kryesorët e Besës nga Peja. Futbollisti që realizoi edhe “panenka” në futbollin e Kosovës, në një intervistë për “Sportin në KTV”, ka thënë se kur e kishte bërë debutimin në Superligë në moshën 15-vjecare, nuk e kishte menduar se do të arrinte të mbijetonte kaq gjatë në futboll.
“Më kujtohet si sot ndeshja e parë ka qenë kundër Llapit. Isha në bankën rezervë, si i ri 15-vjeçar dhe u inkuadrova në lojë në minutën e 7-të. Hysni Muzlija pësoi lëndim dhe në vend të tij hyra unë. Që nga ajo kohë kam qenë çdoherë pjesë e ekipit të parë”, ka thënë Kasapi.
Besa e Pejës është rikthyer në Superligën e Kosovës pas dy vjetësh të kaluar në Ligën e Parë dhe nga sezoni i ri do të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar. Klubi pejan përfitoi nga vendimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për të anuluar garat në Ligën e Parë, duke u promovuar për një rang më lart. Rikthimi në Superligën e Kosovës në futboll është edhe një mision i arritur i kapitenit Kasapi, i cili e kishte përjetuar rëndë rënien nga Superliga më 2018.
“Më është dukur si fundi i botës kur Besa ka rënë në Ligën e Parë. Edhe në qytet nuk kam dalë për disa ditë, jo që isha i frikësuar, por ka qenë një kohë aspak e mirë kur jemi larguar nga Superliga. Deshi Zoti tani jemi kthyer dhe shpresoj që të mos i ndodhë më Besës që të bjerë në Ligën e Parë”.
E veçanta e Kasapit është se në Kosovë vetëm 6 muaj ka qenë pjesë e Trepçës ’89, kurse pjesën tjetër e ka kaluar vetëm te Besa, duke i qëndruar besnik skuadrës së zemrës.
Në kohën e artë të Besës, Kasapi ka fituar tre tituj të kampionit radhazi dhe dy kupa të Kosovës, po asnjëherë nuk e ka diskutuar largimin nga Besa, edhe me gjithë ofertat.
“Kemi arritur t’i fitojmë tre tituj të kampionit radhazi, që është rekord në futbollin e Kosovës. Më kujtohet si sot kur e kemi fituar titullin e parë në vitin 2005, disa analistë dhe kritikë thoshin se e kemi ekipin e mirë, por të shohim vitin tjetër. E kemi fituar edhe vitin tjetër dhe kjo i heshti ata. Pastaj e fituam edhe trofeun e tretë për të treguar dominimin tonë”.
Mesfushori që ka ditur të luajë shumë mirë edhe si sulmues në shumë raste nga trajneri i atëhershëm i Besës, Genc Hoxha përdorej edhe si ‘xhoker’. Për të arriturat e Besës historike, Kasapi ka thënë se nuk paguheshin aspak, sa ka dëgjuar se paguhen aktualisht futbollistët e Superligës.
“Po dëgjojmë që ka paga mujore deri në 4-5 mijë euro në klubet kosovare. Në kohën kur ne jemi bërë kampion, paga maksimale ka qenë 1 mijë euro. Nëse e shohim, diferenca me atë kohë është shumë e madhe. Ne i kemi pasur pagat 400-500 euro, por me premi kemi arritur deri në 1 mijë euro”, ka thënë Kasapi.
37-vjeçarit i ka mbetur merak që në kohën kur Besa shkëlqente në vitet 2005, 2006 dhe 2007, nuk kishin mundësi të luanin në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, ai e ka realizuar ëndrrën që të luajë në Evropë me Çelikun e Malit të Zi dhe me Vllazninë e Shkodrës. Suksesin më të madh jashtë Kosovës e ka arritur me dy skuadra malaziase, Buduqnostin dhe Çelikun, ku i ka fituar dy tituj të kampionit, kurse ka luajtur edhe për disa të tjera malaziase, si dhe në Suedi te Raslatss.
Kasapi ishte edhe pjesë e Kosovës, ku është grumbulluar për disa ndeshje miqësore në atë kohë.
Fetim Kasapi ka qenë një herë golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës.
Kapiteni i Besës ka thënë se është i gatshëm të luajë ende dhe se nuk e ka ndërmend të ndalet.