Presidentja, Vjosa Osmani dhe ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd D. Robinson në një konferencë të përbashkët për media kanë vlerësuar bashkëpunimin mes dyja vendeve.
Osmani ka thënë se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur që Byroja Ndërkombëtare për Narkotik dhe Sundim të Ligjit i ka ofruar vendit përgjatë viteve.
Ajo ka thënë se mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë prezentë në çdo sektor.
Osmani ka deklaruar se Kosova është detyruar të fillonte nga zeroja.
“Sukseset tona janë edhe dëshmi e bashkëpunimit me partnerët. Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë vulën e byrosë që drejton ndihmëssekretari, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Në takim me ndihmëssekretarin e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL që do të jetë i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së. Të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL janë kriminelët. Është dëshirë dhe vullnet i përbashkët që ata t’i luftojmë deri në fund dhe pa kompromis”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-në.
Në anën tjetër Robinson, ka deklaruar se SHBA-ja do ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar institute jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.
Ai ka thënë se po punojnë për një Kosovë më të mirë sot.
Robinson ka shtuar se po punojnë për një të ardhme më të mirë për të gjithë kosovarët.
“Fakti që jam këtu tregon mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, për qytetarët e Kosovës. Porosia ime është që SHBA-ja është këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet e tuaj për të ndërtuara institute jetike të sigurisë e gjyqësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë”, ka thënë ai.