Hoti: Nuk jam i zemëruar me Osmanin që nuk e udhëhoqi seancën

Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ndihet aspak i zemëruar me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, e cila nuk udhëhoqi seancën kur ai u zgjodh kryeministër.

“Është dashur (ta udhëhiqte v.j.), është obligim kushtetues, por ka të drejtë ta delegojë. Nuk më ka zemëruar. Fokusi im është në zbatimin e programit qeverises, jo te sjelljet e politikanëve. Fokusi im është te krijimi i një kulture krejt tjetër politike”.

Hoti deklaroi se paraardhësi i tij në pozitën e kryeministrit Albin Kurti nuk tregoi seriozitet.

“Ish-kryeministri nuk ishte në zyrë. Ka qenë e pritshme, në bazë të deklaratave, ku e bëri të ditur. Kjo nuk tregon kulturë institucionale, siç e kam marrë unë detyrën, në të ardhmen do t’ia dorëzoj dikujt tjetër. Ne duhet të pajtohemi me rrotacionin”, ka thënë Hoti në RTK.