Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk e ka pranuar Asociacionin, teksa ka thënë se se pesë emisarë i kanë dërguar një propozim, e me ç’rast ky ka dhënë vërejtjet e tij.
“Pra, unë kam dhënë vërejtje për atë draft-statut. Rrjedhimisht, nuk e kam pranuar””, ka thënë Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Aneksin e zbatimit, draft-statutin me të gjitha vërejtjet e mia, dhe si një paketë po e nënshkruajmë këtu në Bruksel, sepse Brukseli është vendi e samiti është kuvendi. Thashë le ta bëjmë këtë. Pala tjetër refuzoi, ndonëse vërehej një lloj entuziazmi tek udhëheqësit evropianë për propozimin tim”. tha kryeministri Kurti.
Deklarata e plotë:
“Me datën 21 tetor, pesë emisarë kanë ardhur për atë propozim të tyre për draft-statutin. Me datën 24 tetor, unë i kam dhënë vërejtjet e mia. Pra, unë kam dhënë vërejtje për atë draft-statut. Rrjedhimisht, nuk e kam pranuar.
Me datën 26 tetor, në takimin me ‘pesëshen e madhe’ – Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Charles Michel, Josep Borrell, Giorgia Meloni, edhe Mirosllav Lajçak – në Bruksel, meqenëse u tha se është një çështje urgjente, sepse agresionit rus që nuk po përfundon në Ukrainë i është bashkëngjitur edhe sulmi terrorist i Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja] në Izrael, duhet të bëjmë diçka, sepse është situatë tejet urgjente… unë thashë: mirë pra, po e marrim paketën me Marrëveshjen Bazike, Aneksin e zbatimit, draft-statutin me të gjitha vërejtjet e mia, dhe si një paketë po e nënshkruajmë këtu në Bruksel, sepse Brukseli është vendi e samiti është kuvendi. Thashë le ta bëjmë këtë.
Pala tjetër refuzoi, ndonëse vërehej një lloj entuziazmi tek udhëheqësit evropianë për propozimin tim.
Ju e dini që presidenti i Serbisë po i përmbahet asaj fjale të tij që e ka një dhembje të madhe në dorën, e cila do të duhej ta nënshkruante këtë marrëveshje.
Ai i ka thënë ‘po’ marrëveshjes, që të mos e nënshkruajë, dhe tash është penduar. Me fjalë të tjera, ai ka negociuar me besim të keq. E, për negociata dhe marrëveshje duhet mirëbesim”.