Programi i Qeverisë Hoti për vitet 2020-2023 (Dokument)

Qeveria e re e Kosovës në krye me Avdullah Hotin të premten do të mbajë mbledhjen e dytë. Sipas rendit të ditës të siguruar nga Ballkani.info mbledhja do të mbahet në orën 12 në ndërtesën e Qeverisë.

Për dallim nga qeveria e kaluar, Qeveria e re duket se do të jetë më transparente sa i përket njoftimeve për mbledhje dhe rendin e ditës.

Qeveria e ish kryeministrit Albin Kurtit njoftimet për mbledhje dhe rend dite nuk i bënte të ditur dhe mbledhjet i mbante zakonisht në orët e vona të ditës.

Nesër në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2020-2023, pastaj shqyrtimi i propozim-vendimet për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliu.

Ballkani.info e ka siguruar draftin e programit qeverisëses për periudhën kohore 2020-2023.

Në programin 58 faqësh i cili nis me parimet dhe objektivat e Qeverisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës, pa dallim.  Ruajtja e pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës, për Qeverinë e Republikës së Kosovës është detyrim shtetëror thelbësor që buron vullneti i qytetarëve të Kosovës. Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re. Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës.

Qeveria e Republikës së Kosovës synon të vendosë dhe të fuqizojë një qeverisje kompetente dhe të përgjegjshme, e cila do të forcojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të partnerëve tanë strategjik, BE dhe SHBA, në vitalitetin e Kosovës si shtet i pavarur, duke zbatuar politika që e rrisin cilësinë e jetës, që respektojë të drejtat e secilit dhe ofrojnë mundësi të barabarta në arsim, shëndetësi, në jetën sociale dhe në shërbimet publike në përgjithësi.

Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive. Këto vlera paraqesin bazamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës. Si i tillë, programi qeverisës ofron mundësi për realizimin e vizionit për Kosovën shtet i pavarur dhe demokratik, i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euroatlantike, me funksionim të pavarur të pushteteve. Sot, Kosova po ballafaqohet me një situatë të rëndë, si rezultat i pandemisë nga COVID-19, si në aspektin e shëndetit publik ashtu edhe në aspektin ekonomik. Prandaj, objektivat themelore të Qeverisë janë:

beteja për ta mposhtur pandeminë dhe

rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë.

Krahas këtyre objektivave, Qeveria ka prioritet:

Forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;

Zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për tu përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve e prodhimeve vendore;

Marrjen e përgjegjësisë për të quar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit;

Avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike;

Zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;

Krijimin e atmosferës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë program prioritet i është dhënë Pandemisë së koronavirusit dhe rimëkëmbjës ekonomike pas pandemisë.

Më poshtë mund ta gjeni draftin e plotë të programit qeverisës që pritet të votohet nesër.