5 raste të reja me koronavirus

Janë konfirmuar 5 raste të reja me koronavirus, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Në total numri i të infektuarve deri më tani në vendin tonë ka shkuar në 1147.

“Sot më 04 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 294 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 5 raste”.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Fushë Kosovës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Fushë Kosovë), komuna e Vushtrrisë 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Oshlan), komuna e Prizrenit 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Tupec) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë.

Po ashtu, janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 874 raste.

“Janë testuar gjithsej 15.880 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.147 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, shkruan Gazeta Stop.