I dërguari i posaçëm për dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pasi, siç tha, një gjë e tillë është në interesin e të gjithëve.
Pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, Lajçak tha se në takimin e 5 marsit në Prishtinë, u diskutua edhe për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.
“Kemi një listë të gjatë të çështjeve për të cilat kemi diskutuar, por më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes Bazë. Është në interesin e të gjithëve që të shohim përparim më të shpejtë në këtë drejtim”, tha Lajçak për gazetarët në Prishtinë.
Bislimi ende nuk është prononcuar pas këtij takimi.
Sipas emisarit evropian, Marrëveshja Bazë – që u arrit në Bruksel shkurtin e kaluar, dhe më pas në mars në Ohër u arrit pajtimi për Aneksin e saj – është ligjërisht e obligueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.
“Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo veçse do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si, çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë. E vetmja pyetje që mbetet është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të nisë së zbatuari”, tha ai.
Marrëveshja prej 11 nenesh në rrugën drejt normalizimit ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Lajçak foli edhe për çështjen e dinarit serb, duke pranuar se për një gjë të tillë kishte organizuar më 27 shkurt një takim në Bruksel në nivel ekspertësh.
Megjithatë, tha ai, disa aspekte të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës është dashur të diskutohen me Bislimin.
“E di që kemi pasur takimin javën e kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj të organizoj një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, sqaroi Lajçak.
Në takimin e 27 shkurtit, Kosova u përfaqësua nga krerë të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkaq Serbia nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviq.
Lajçak, duke folur për mospjesëmarrjen e Bislimit në këtë takim, tha se “qëllimisht” në ftesën dërguar palëve, e kishte lënë të hapur mundësinë që ato të zgjidhnin se kush do t’i përfaqësonte në takim.
Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Rregullorja është kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se ai u mor pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet te popullata serbe.