Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, kanë konfirmuar për gazetarë burime diplomatike në Bruksel, raporton Radio Evropa e Lirë (REL), në gjuhën serbe.
Thuhet se autoritetet në Beograd u pajtuan në mënyrë që të kontribuojnë në atmosferën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Si vullnet i mirë për krijimin e atmosferës së nevojshme për vazhdim të dialogut, nga palët në Beograd janë pajtuar se nuk do të vazhdojnë me këtë fushatë”, ka konfirmuar për gazetarët një burim i lartë diplomatik i BE-së.
Zyrtarë të BE-së, që merren me procesin e dialogut, kanë thënë se fushata e Serbisë është “çështje irrituese”.
“Duhet të ndërtojmë një moment pozitiv e të mos irritojmë njëri-tjetrin”, kanë porositur nga BE-ja, siç raporton REL-i.
Diplomatët nga Brukseli vlerësojnë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive, që do të mundësojë rifillimin e dialogut. Prandaj ata besojnë se vendosja e fundit e masave të reciprocitetit nga qeveria e mëparshme e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti “nuk është në atë frymë”.
Zyrtarë të Brukselit presin nga qeveria e re t’i ndërmarrë të gjitha masat për të krijuar atmosferë pozitive rreth dialogut, i cili duhet të nisë shpejt në Bruksel, që nënkupton edhe heqjen e këtyre masave.