Më 9 dhjetor të 2023-tes, KEDS pati njoftuar se kanë nënshkruar kontratë me Elektroserver për të shpërndarë dhe furnizuar me energji elektrike, Mitrovicën Veriore, Zubin Potokun, Leposaviqin e Zveçanin.
Pas kësaj marrëveshjeje ende në pjesën veriore të Kosovës nuk ka filluar faturimi i rrymës.
Leximi i njehsorëve ka filluar në veri e faturimi pritët të filloj në muajin mars.
Kështu po thotë për Front Online kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.
Ai tha se ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat andaj ka vonesë në faturim.
Muaji janar e shkurt do të paguhet paushall, thotë Uglanin.
“Jo ende nuk ka filluar se është procesi i evidentimit dhe regjistrimi i shtëpive dhe pronarëve dhe tani do të nisë faturimi sigurisht në fillim të marsit. Paushall 20 euro janë do paguhen faturat deri në muajin mars deri sa ti vendosin orët se shumica e popullsisë atje nuk kanë”, theksoi ai.
Uglanin tha se në shumicën e lagjeve ka përfunduar leximi i njësorëve.
Sipas tij, në disa nuk kanë filluar sepse kompania po kërkon siguri.
“Në disa vende ka përfunduar leximi i njësoreve vetëm në disa lagje ku janë jo shumicë si Lagjja e Boshnjakeve e disa të tjera nuk ka filluar regjistrimi, në qendër po është përfunduar. Në këto lagje po kërkojnë siguri, kanë një lloj frike. Është edhe një kompani tjetër po ajo s’ka dhënë interesim për t’u takuar me banorët”, u shpreh ai për Front Online.
Kryetari i Zubin Potokut: Së shpejti fillon faturimi i rrymës për qytetarët serb
Izmir Zeqiri, kryetar në komunën e Zubin Potokut ka folur për çështjen e rrymës në komunat veriore të Kosovës.
Zeqiri tha se së shpejti pritët të filloj faturimi i rrymës atje.
Ai thotë se deri të përfundoj faza e regjistrimit nuk do ketë ndonjë zhvillim tjetër.
“Po ka filluar të merren numrat e orëve, faturimi pritët të fillojë pas zhvillimit të aktiviteteve që kanë edhe tek familjet që janë të kyçur me i faturuar. Për muajt e kaluar mund të paguhet paushall por deri të regjistrohet nuk mund të bëjnë asgjë se janë në fazën e regjistrimit”, thotë Zeqiri.
Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 deri në vitin 2022, për rrymën e shpenzuar në veri janë paguar gjithsej 237 milionë euro (mesatarisht 19 milionë euro në vit).