Avdullah Hoti në zgjedhjet e gjashtë tetorit kishte fituar 26 mijë e 94 vota.
Në mëngjes u nisë në këmbë drejt Kuvendit të Kosovës.
Atje po mblidheshin deputetët për të votuar formimin e qeverisë së re, të cilës do t’i prinë vet Avdullah Hoti.
E kjo nuk ishte hera e parë që kishte marrë rrugë drejt pozitës më të lartë të ekzekutivit; atë të kryeministrit.
Ishte viti 2017 kur Hoti si mandatar i koalicionit LDK-AKR-Alternativa mori 115 mijë e 658 vota, kësisoj atëbotë nuk arriti të sigurojë këtë pozitë përmes votave të qytetarëve.
Por karriera e tij politike nuk kufizohet vetëm me emërimin e tij si kryeministër.
44 vjeçari i lindur në Ratkoc të Rahovecit kishte studiuar menaxhment dhe informatikë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet e magjistraturës dhe doktoratës i ka përfunduar në Britani të Madhe.
Hoti vazhdon të jetë profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Tashmë kryeministri i Kosovës, ka provuar disa pozita nëpër institucione.
Fillimisht punoi si këshilltar në Ministrinë e Arsimit, nga viti 2006 deri në vitin 2007.
Nga janari i vitit 2010 deri në vitin 2013 Hoti ishte nënkryetar i Komunës së Prishtinës.
Ishte viti 2014 kur Avdullah Hoti mori votat për deputet. E pas kësaj nga viti 2014-2017, ka shërbyer si Ministër i Financave.
Në zgjedhjet e gjashtë tetorit, Avdullah Hoti mori përkrahje për deputet.
Ai fitoi 26 mijë e 94 vota, duke u renditur si njeriu i pestë më i votuar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më shumë se ai u votuan Vjosa Osmani, Anton Quni, Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku.
Si pjesë e qeverisë Kurti, Hoti kishte pozitën e zëvendëskryeministrit, pozitë të cilën e mbajti deri në momentin kur u shkarkua nga Albin Kurti.
E rrugën që e bëri paradite në mëngjes në këmbë, pasditen e së mërkurës Hoti e kaloi me veturën e të parit të qeverisë, e me mbrojtje të afërt.
Krejt kjo pasi që ai u votua si kryeministër i Kosovës.