Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, do të qëndrojë për vizitë sot në Kosovë.
Ai pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmani. Takimi do të nisë për orën 11:00.
Nuk është paralajmëruar se do të ketë ndonjë deklarim për media pas takimit.
Pendarovski do të pritet në takim edhe nga kryeministri, Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, takimi me Kurtin pritet të nisë në orën 12:00. As nga Qeveria nuk është paralajmëruar ndonjë deklarim për media pas takimit.
Për vizitën e Pendarovskit ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Policia ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.