Kurti: Për t’u integruar rajoni ekonomikisht, duhet të ndërpriten kërcënimet e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë tryezës në Shkup në kuadër të samitit “Ballkani Perëndimor takohet me BE-në”, ka thënë se për t’u integruar rajoni ekonomikisht dhe të përafrohen qytetarët, duhet të ndërpriten kërcënimet e sigurisë.

“Integrimi më i thellë dhe rritja e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, kërkon besim të ndërsjellë e marrëdhënie normale mes shteteve tona, institucioneve e njerëzve tanë. Kjo s’mund të ndodhë nëse liritë për qarkullimin e mallrave shfrytëzohen për t’i lëvizur armët e municionin apo për t’i sponsorizuar sulmet terroriste”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se është kyçe normalizimi i marrëdhënieve bazuar në njohje të ndërsjellë.

“BE-ja paraqet zgjedhje strategjike të lidershipit të një shteti. Është detyra jonë të reformohemi e plotësojmë kushtet, e BE-ja të gjykojë më pas bazuar në merita”, ka thënë Kurti.

Deklarata e plotë:

Jemi këtu sot në Shkup në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, me ftesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në këtë mbledhje ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e takojnë Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Nga Brukseli do të jenë zotërinjtë Koopman dhe Makovec, ndërkaq nga Uashington DC do të jetë zotëri James O’Brien. Pra, Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë.

Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare. ​Plani i Rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë.

Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara ndërkaq në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikativë. Sa i përket reformave aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor.

Me këtë rast dua të falënderoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim fort të rëndësishëm i cili do të mundësojë që të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian që është edhe qëllimi edhe fati ynë.

Ju faleminderit!