Hoti: Dialogu me Serbinë është jetik, roli i BE-së dhe SHBA-së i pandashëm

Kandidati për kryeministër të ri të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se dialogu me Serbinë është jetik.

Ai para deputetëve duke lexuar ekspozenë, tha se në dialog duhet të përfshihen të gjithë së bashku e të jenë të unifikuar, gjithashtu përfshirë BE-në dhe SHBA-në.

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare është interes jetik i Kosovës. Autoritetet do ta respektojnë në plotni kushtetutën gjatë bisedimeve. Dialogu do të ketë objektiva të qarta për çështjet që duhet të dialogohen dhe do të jemi transparent. Marrëveshja do të bazohet në mënyrë reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Do të mundësohet anëtarësimi i Kosovës në OKB e drejt BE-së. Ky dialog kërkon bashkërenditje dhe unitet mes institucioneve. Në dialog duhet të jemi të gjithë së bashku, sepse është në interes të të gjithëve. Së bashku duhet të jemi edhe në Kuvend ku do të bëhet ratifikimi i dialogut. Opozita duhet të ketë rol udhëheqës”, u shpreh Hoti, raporton KOHA.

Sipas Hotit, “Qeveria e respekton rolin e BE-së dhe SHBA-së të pandashëm, ato duhet të përfshihen në dialog”.