“Republika”, kusht për hyrjen e mallrave nga Serbia

Vendimi i Qeverisë në detyrë për shtim të masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe ka bërë që deri në orët e pasdites 15 kamionë të kthehen mbrapa. Ata në dokumentet e tyre nuk i referoheshin Kosovës si Republikë. Aplikimi i këtyre masave ka nxitur reagim nga pala serbe, por edhe nga Bashkimi Evropian. Ata kanë kërkuar largimin e këtyre masave.

Por, pala kosovare ka qëndrime të ndryshme sa i përket këtij vendimi. E mungesa e një konsensusi të brendshëm sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile pamundëson mbajtjen e qëndrimeve ndaj Serbisë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se të gjitha kthimet kanë të bëjnë me aplikimin e masave të reciprocitetit sipas vendimit të Qeverisë.

“Të gjitha kthimet kanë të bëjnë me aplikimin e masave të reciprocitetit sipas pikës 1, respektivisht 1.1 dhe 1.3 dhe gjithashtu edhe pikës 3 të vendimit të Qeverisë”, ka thënë Stavileci.

Pika 3 e vendimit kërkon nga operatorët ekonomikë të Serbisë që të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyjnë në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

Vendimi është kritikuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se këto masa e dëmtojnë dialogun.