Gjoshi, PDK: Padituria e Haki Abazit që kërkoi rigjykim nga Kushtetuesja, dëshmon se Kurti rrethohet nga njerëz të padijshëm

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka shprehur habinë me kërkesën e zyrtarit të Vetëvendosjes, Haki Abazi i cili ka kërkuar rigjykim të rastit të dekretit të presidentit për formimin e Qeverisë së re.

Ai ka shkruar në faqen e tij në Facebook se ky pretendim i Haki Abazit dëshmon sa i padijshëm është ai dhe njerëzit që e rrethojnë Albin Kurtin.

Deklarata e plotë e Betim Gjoshi:

TALENTI I HAKI ABAZIT PËR TË TREGUAR HAPUR SA TË PADIJSHËM JANË

Albin K. dhe Vetëvendosje nuk kanë arritur që t’i bindin as qytetarët dhe as gjyqtarët e kushtetueses se kanë të drejtë në pretendimin e tyre për mandatarin.

Arsyeja se përse Albin K. dhe Vetëvendosje nuk kanë arritur t’i bindin qytetarët është pikërisht paaftësia për të ofruar shpjegime bindëse.

– Nuk mund të fitosh raste në Gjykatë me këshilltarë që për Drejtësinë nuk arrijnë të gjejnë shpjegime tjera veç këtyre shprehjeve pa shije se <e drejta është sikurse shtatëzania>.

– Nuk mund të fitosh raste as me Haki Abaza që edhe kur bëhen zëvendëskryeministra nuk arrijnë ta mësojnë se <Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën>.

Miq të mi!

U nxita të shkruaj nga deklarata e fundit e çuditshme e Haki Abazit, zëvendës i Albin K. <Rigjykimi është më e pakta që mund të ndodhë> po shkruan ai dhe po nxjerrë në shesh paditurinë e tij.

Unë e kuptoj se të bërit politikë është art, por të kërkosh nga Gjykata Kushtetuese rigjykimin e një lënde tejkalon aftësinë për të shfaqur talent. Në fakt, Abazi po tregon talent për të treguar se sa të padijshëm janë dhe si e shohin funksionimin e shtetit.

Prandaj, nuk mbulohet padituria duke bërtitur <Gjykata është e kapur>.

#Amatera #Mashtrues #Palaço