Haxhiu kërkon zgjedhje, jo protesta

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër nga Presidenti Hashim Thaçi.

Ajo ka shkruar në profilin e saj, në Facebook se duan zgjedhje duke mos përmendur protestat.

“Gjykata Kushtetuese na tha se pazaret janë mbi vullnetin e popullit! Por jo, mbi vullnetin e popullit nuk mund të jetë askush prandaj, duam zgjedhje”, ka shkruar Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje, sot ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë paralajmëruar se do të kërkojnë zgjedhje të reja përmes një peticioni online.

Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmedi dhe deputeti i VV-së, Liburn Aliu në këtë konferencë kanë përjashtuar organizimin e protestave si formë për kundërshtim ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Aliu madje ka thënë se disa iniciativa dhe thirrje për protesta nuk janë organizim i Vetëvendosjes.

“Nuk ka nevojë për protesta njëherë për njëherë, dhe ato iniciativa nuk janë të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.