Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), theksoi edhe një herë se kjo parti s’do t’i japë votat për qeverinë e re në krye me Avdullah Hotin.
“Nuk do ta votojmë këtë qeveri të LDK-së me partitë tjera, sepse nuk dallojnë nga njëra-tjetra e as nga qeverisja e kaluar”, u shpreh Gashi.
Deputeti Gashi shtoi se PDK-ja do të vazhdojë të jetë parti opozitare.
“Do të jemi opozitë dhe sa herë që kjo qeveri vepron në kundërshtim me interesat e qytetarëve do ta kritikojmë. Jemi të qartë, i kemi veprimet e qarta. Atë ditë që votohet qeveria Hoti PDK-ja do të votojë kundër. Më e mirë do të ishte të kishte zgjedhje, por ne do të respektojmë vendimin e Kushtetueses”, u shpreh Gashi në KTV.
Gashi tha se “VV-ja do t’i kthehet zanatit të vjetër, sepse është dëshmuar si opozitë”.
“Jemi të përgatitur për ta luajtur rolin opozitar. Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit, në asnjë rrethanë s’kemi vënë vija të kuqe për subjekte parlamentare. Ishte VV-ja e disa parti që vendosën vija të kuqe dhe kjo ka dëmtuar mundësinë e bashkëpunimit”, u shpreh Gashi.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje si parti opozitare, Gashi tha se është herët të flitet. “Është herët për mundësi të bashkëpunimit, të paktën për një periudhë. Por ndërkohë i shohim mundësitë”, tha Gashi.