Një shtëpi është shembur sot në Prizren, ku si pasojë janë lënduar dy persona.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Haskuka ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e Drejtorisë së Emergjencës, Inspektoratit dhe atyre të trashëgimisë kulturore, për të verifikuar gjendjen dhe për të marrë hapat e mëtutjeshme për evitim të rrezikut.
Postimi i plotë:
Dy anëtarët e familjes Kasëmllari sot fatmirësisht kanë shpëtuar me lëndime të lehta nga shembja e shtëpisë së tyre, e cila është rrënuar vetvetiu nga vjetërsia.
Në vendngjarje menjëherë kanë ardhur ekipet e Drejtorisë së Emergjencës, Inspektoratit dhe atyre të trashëgimisë kulturore, për të verifikuar gjendjen dhe për të marrë hapat e mëtutjeshme për evitim të rrezikut.
Rreziku nga shembja e shtëpia të vjetra është problem ekzistent jo vetëm në këtë shtëpi, por edhe në shumë shtëpi të vjetra, të cilat për shkak se kanë vlera të trashëgimisë kulturore apo gjenden në qendrën historike nuk mund të rrënohen tërësisht, e në anën tjetër për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk mund as të renovohen.
Lidhur me këtë problem, që nga koha kur kam qenë deputet në Kuvendin e Kosovës kam kërkuar krijimin e Fondit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore me së paku 5 milionë euro, që do të mundësonte intervenime të shpejta nga ekipet e specializuara dhe me procedura specifike për shtëpitë që janë në gjendje kritike.
Ne do të vazhdojmë përpjektjet tona për krijimin e këtij fondi, duke shikuar mundësitë së bashku me Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës.
Restaurimet e shtëpive të vjetra që janë në qendrën historike apo kanë vlera të trashëgimisë kulturore janë të kushtueshme dhe kërkojnë ekspertizë, prandaj ky fond është i domosdoshëm të krijohet sa më parë.
Shpresoj që të evitohen sa më parë të gjitha rreziqet nga shtëpitë e vjetëruara dhe ky të jetë rasti i fundit i një fatkeqësie të tillë.