Kryeministri në detyrë Albin Kurti sot kur u pyet rreth protestës tha se kryeministria nuk i organizon ato sepse nuk ka kohë. Sipas tij, këtë e bëjnë aktivistët e VV’së të cilët kanë të drejtë të protestojnë. Sido që të jetë, sot pasdite Kurti nuk zbriti poshtë në shesh, për t’iu bashkuar protestuesve, por doli në ballkonin e qeverisë për t’u përshëndetur me ta, duke e prodhuar kështu një fotografi të pazakontë. Kundërshtarët thanë se pamje të tilla ndodhin vetëm në vendet me regjime autoritare, shkruan Gazeta Express.
Gjykata Kushtetuese më së largu nesër do të bëjë interpretimin e ligjshmërisë së dekretit të presidentit, Hashim Thaçi për mandatarin.
Këtij vendimi që do të marrë Kushtetuesja, i ka paraprirë sot me një protestë, Lëvizja Vetëvendosje, ku të mbledhur në shesh të Prishtinës kanë kërkuar zgjedhje të reja.
Duke qëndruar në pika të kuqe, që i vendosën paraprakisht, aktivistë të partisë së Albin Kurtit nuk u tërhoqën as kur ra shi.
Si për t’i falënderuar për përkrahjen, doli kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ani pse gjatë ditës sot tha se s’ka kohë që të organizojë protesta, e ato bëhen në zyre të LVV’së, Kurti doli në ballkon të qeverisë e përshëndeti me duar ata që e mbështesin në kërkesën për zgjedhje.
Me daljen e Kurtit në ballkon të Qeverisë, turma e mbledhur në shesh, filloi duartrokitjet e u dëgjuan brohoritje “Duam Zgjedhje”.
Mirëpo, mënyra se si u paraqit Kurti para simpatizantëve të tij u kritikua. I pari i qeverisë në detyrë e shefi i LVV’së, u krahasua me liderë të regjimeve autoritare.
Deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj ka shkruar në Facebook se protesta e sotme e LVV’së është sulm direkt ndaj vendimit që pritet të marrë Gjykata Kushtetuese.
Hoxhaj ka thënë se vetëm në regjime autoritare ndodh që partia në pushtet të organizojë protesta.
Edhe nga LDK’ja kanë ironizuar me protestën e Lëvizjes Vetëvendosje. Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi tha sot se Vetëvendosje është duke protestuar kundër vetvetes.
“Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. I dëshirojmë fat ish-partnerit tonë qeverisës në këtë instalacion. Vetëvendosje po bën prova për të protestuar kundër vetës”, u shpreh Gashi.
Nga zyra e presidentit Hashim Thaçi ndërkaq deklaruan se vetëm në Kosovë pushteti proteston kundër opozitës.
“Gjithkah në botë protestohet kundër pushtetit. Por, në Kosovë pushteti proteston kundër opozitës”, shkroi këshilltari i presidentit Adil Behramaj.
Protestën nga ballkoni i qeverisë e Kuvendit e përcjellën edhe anëtarët tjerë të kabinetit të Kurtit që vijnë nga radhët e LVV’së e deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie.
Gjykata Kushtetuese më së largu neser do të interpetojë ligjshmërinë e dekretit të presidentit për mandatarin, ku pritet që të tregojë nëse partia e dytë lejohet që të formojë qeverinë, në rast se partia e dalë e para nga zgjedhjet nuk i ka numrat.
Këtë dekret të presidentit po e kundërshtojnë LVV’ja që kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në rrjete social ndërkaq, tashmë kanë filluar shpërndarje të fotografisë së Kurtit ku po krahasohet me liderë komunistë. /GazetaExpress/