Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar Komunën e Prishtinës dhe kryetarin e saj, Shpend Ahmeti.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet në vend, për punën e qeverisë dhe të komunës. Vëmendje e veçantë iu dha diskutimit mbi COVID-19.
Në këtë drejtim u fol për efektin e masave të marra deri tani, vendimin për lirimin gradual të tyre, dhe rëndësinë e adresimit të nevojave të ekonomisë për rimëkëmbje. Për këtë të fundit do të kujdeset pakoja e rimëkëmbjes e cila shumë shpejt do të publikohet dhe votohet në qeveri.
Kryeministri në detyrë bëri thirrje për vigjilencë të shtuar pikërisht tani që po lehtësohen masat kundër COVID-19. Gjasat që virusi të kthehet shtohen, nëse kujdesi bie. Andaj, qytetarët duhet të vazhdojnë me përgjegjësi të njëjtë të respektojnë vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë aq sa edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të cilat udhëzojnë që të mbahet distanca fizike dhe të shmangen grumbullimet dhe vizitat familjare.
Qeveria ka bashkëpunuar me të gjitha komunat e Republikë së Kosovës, por një bashkëpunim të veçantë e ka pas me Komunën e Prishtinës. I njëjti bashkëpunim do të ndodh edhe gjatë muajit qershor, muaj i liberalizimit të masave, kur nevoja për bashkërendim të veprimeve është thelbësore.