Të mërkurën në mbrëmje është paraparë nisja drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, të dy astronautëve të NASA-s, kolonelit të Marinsave në pension Doug Hurley dhe kolonelit të Forcave Ajrore, Bob Behnken.
Behnken dhe Hurley kanë qenë në karantinë në dy javët e fundit, si një masë paraprake kundër koronavirusit.
Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritet të lëshohet nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida.
SpaceX po bëhet kompania e parë private që dërgon njerëz në hapësirë.
Nëse fluturimi do të jetë i suksesshëm, ai do të shënojë një moment thelbësor në eksplorimin e hapësirës me operimin e parë të një kompanie private, në një fushë, që për shtatë dekada ka simbolizuar fuqinë e një numri të vogël shtetesh.