Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një konferencë për media pas një takimi që ka pasur me kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, me të cilin kanë diskutuar rreth dëmeve ekonomike dhe situatës me pandeminë COVID-19.
Në këtë konferencë kreu i shtetit ka drejtuar edhe kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurit, duke e quajtur shkelës të dyfishtë të Kushtetutës, uzurpator të institucioneve dhe gjithashtu ka thënë se “grupi i Kurtit”, duhet të japë përgjegjësi para drejtësisë për shkeljet që sipas tij i kanë bërë përgjatë qeverisjes.
E ndaj deklarimeve të Thaçit dhe thirrjes së këtij të fundit për respektimin e masave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, ka reaguar zëdhënësi i VV’së, Arlin Manxhuka.
Manxhuka ka thënë se Thaçi pasi bëri thirrje për mos respektim të masave të Qeverisë tashmë po bën thirrje që të respektohen rekomandimet e IKSHP’së, kur pandemia është drejt fundit.
Zëdhënësi i VV’së gjithashtu ka përmendur videon në të cilën shihet Thaçi në një restorant gjatë kohës së pandemisë dhe pamundësinë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Personi qe beri thirrje për mosbindje ndaj masave te Qeverise qe erdhën si rezultat i rekomandimeve te IKSHP-se dhe i njëjti qe frekuentonte kafiterite, dhe i njëjti qe shkeli këto rekomandimet te përkthyera ne rregulla kur doli ne Shqipëri, sot na foli se si duhet te respektohen rekomandimet e IKSHP-se, tash kur jemi ne përfundim te suksesshëm te pandemisë, ky qe dështoi te shpalle gjendje te jashtëzakonshme”, ka shkruar Manxhuka.