I nominuari për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), Avdullah Hoti, ka shprehur mendimin se sa më shpejt duhet të merren masa për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Hoti ka shkruar në “Facebook” se pandemia Covid-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar në prodhim, punësim dhe eksport.
“Është evidente se COVID-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim, të ardhura dhe eksporte. Prandaj, duhet ndërmarrë masa që sa më parë të normalizohet funksionimi i jetës ekonomike në vend”, ka shkruar Hoti.
Ai thotë se ka filluar komunikimin me institucionet për mobilizim të fondeve për rimëkëmbjen ekonomike në vend.
“Për mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike tashmë kemi filluar komunikimin me institucionet relevante për absorbimin sa më efikas të mbështetjes teknike dhe financiare”, ka shkruar Hoti.