Infektologu Valbon Krasniqi ka folur për situatën e përgjithshme të shëndetësisë në vend sa i përket koronavirusit.
Krasniqi në RTV Dukagjini thotë se numër të rasteve me koronavirus mund të shohim edhe gjatë ditëve në vijim, por që sipas tij qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi që kjo mund të konsiderohet një ecuri normale e pandemisë..
“Krejt çfarë ne duhet të bëjmë është që të gjurmohen me kohë rastet e kontaktit të këtyre personave”, tha ai.
Infektologu thotë se tashmë kanë mbetur disa vatra lokale të koronavirusit si në Prishtinë apo Prizren por që sipas tij pandemia është duke shkuar drejt fundit.
Krasniqi thotë se ajo që po shihet këto ditë është se virusi e ka humbur aftësinë për të shkaktuar infeksione po edhe agresivitetin e vet.
“Nuk po kemi shumë të infektuar por edhe ata që janë infektuar nuk kanë pasur gjendje të rëndë si më parë”.
Ai thotë se pandemia është manaxhuar mirë në Kosovë pasi nuk ka pasur nevojë të shtohen kapacitetet e spitaleve.
Krasniqi thotë se është bërë mirë që u hapen objektet fetare dhe restorantet e kafiteritë.
“Duhet t’i ktheheni jetës normale…Ne nuk kemi dendësi të madhe të popullsisë që favorizon përhapjen e shpejtë të virusit”, tha ndër të tjera Valbon Krasniqi.