Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, “nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor”, por “mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare, tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.
Këto komente Osmani i bëri pas takimit në Shkup më 17 janar me ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili theksoi “rëndësinë e unifikimit jo vetëm si shqiptarë, por edhe të të gjitha fuqive progresive në rajon për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”.
Vlerësimet e Osmanit pasuan reagimet që po vazhdojnë në Maqedoninë e Veriut pasi partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka vendosur të jetë pjesë e koalicionit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që njihet me emrin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).
Kjo u bë e ditur më 24 dhjetor 2023 gjatë një ceremonie për hapjen e zyrave të opozitës në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, që është edhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), tha se “tentime të tilla” ka pasur edhe më herët, ndërsa kujtoi rastin e Blerim Rekës nga Shkupi, të cilin opozita shqiptare e kishte caktuar kandidat për president të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e vitit 2019, në tubimet e të cilit kishte pasur edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, Blerim Reka vazhdoi aktivitetin në Kosovë dhe më 3 shkurt 2020 ishte emëruar ministër i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e udhëhequr nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Kjo nuk është asgjë e re, pasi përpjekje të tilla për mbështetje direkte ka pasur edhe më parë, siç ishte rasti me një kandidat për president, i cili më pas ishte ministër në Qeverinë e Kosovës. Nga eksponentë të lartë të Kosovës ai mori mbështetje në tubime dhe organizime tjera. Por, kjo tregoi se skena politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është e konsoliduar. Dhe ashtu siç nuk ndikoi atëherë, nuk pres që në ndonjë mënyrë të ndikojë edhe tani”, tha kryediplomati Osmani.
Pa saktësuar ndonjë emër të partive politike, Osmani foli edhe për “tendencat nga jashtë për fragmentimin e skenës politike të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në parti më të vogla politike”, e që sipas tij, “dobësojnë fuqinë e përfaqësimit të tyre të duhur në shtet”.
“Fragmentimi i skenës politike shqiptare në parti më të vogla politike, e dobëson fuqinë e përfaqësimit në mënyrë të duhur në shtet sepse ka pasur një tendencë shpesh e nxitur edhe nga faktorë të jashtëm, por pak edhe nga dinamika e brendshme që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të organizohen në çdo qytet, të kenë parti politike, çdo qytet të ketë liderin e vetë politik dhe të merren me njëri-tjetrin, që të mos kenë një platformë të përbashkët politike, që në nivel shtetëror i përfaqëson shqiptarët dhe ta përcjellë vullnetin e tyre politik në institucione”, u shpreh Osmani.
Veç kësaj, ai tha se praktikat e tilla nuk janë të mira, pasi “çdo legjitimim i pjesëmarrjes së shteteve tjera me partitë e tyre politike, përfshi këtu edhe Serbinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Kosovën e të tjerë, mund t’i lëkundë dinamikat e vendosura këtu, duke reflektuar te marrëdhëniet ndëretnike dhe ato politike”.
Me herët kishte reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski, duke u shprehur “i befasuar”, pasi sipas tij, në të kaluarën ka pasur raste kur parti të huaja mbështesnin parti simotra në zgjedhje të vendeve të tjera, por jo edhe të merrnin pjesë vetë në to.
Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar si subjekt politik në Maqedoninë e Veriut, por bashkëpunimi mes saj dhe tri partive opozitare – Lëvizjes Besa, partisë Alternativa dhe Lëvizjes Demokratike – pritet të konkretizohet me lista të përbashkëta për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj të këtij viti në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Kodit Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, në zgjedhje mund të marrin pjesë vetëm partitë e regjistruara në regjistrin qendror. Ndërsa, lista zgjedhore mund të përmbajë emrin e ndonjë koalicioni, siç është edhe Lidhja Evropiane për Ndryshim, por në brendi të saj duhet të theksohen emrat e partive politike që përbëjnë koalicionin.
Në listat për deputetë të koalicionit Lëvizja Evropiane për Ndryshim pritet të përfshihet Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Qoku më 24 dhjetor në Shkup, në tubimin e opozitës shqiptare, bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë partia e katërt e koalicionit opozitar, me qëllim për të sjellë, siç tha ai, “ndryshimin e munguar” në Maqedoninë e Veriut. /Rel/