GAP: 28% e qytetarëve mbi 18-vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të 2024

Instituti GAP ka publikuar raportin “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, përmes së cilit ka analizuar se si pritet të ndikojë emigrimi i qytetarëve të Kosovës në tregun e punës.

Sipas GAP-it, nga Kosova prej vitit 2012 deri në vitin 2022 kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë, ku vetëm në vitin 2022 vendin e lanë lëshuar 41 mijë e 553 qytetarë, ku fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21 mijë e 571 persona, ndërsa ajo joaktive për 14 mijë e 698 njerëz.

Në rast se nuk kemi një aktivizim të fuqisë punëtore jo-aktive, e cila është mjaft e lartë, aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm. Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”.

“Rezultatet e anketës së realizuar nga Instituti GAP në dhjetor të vitit 2023, në lidhje me planet dhe tendencën e qytetarëve të Kosovës për të emigruar pas liberalizimit të vizave, tregojnë se 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024. Grup-mosha nën 24 vjeç përbën kategorinë më të prirur (33.4%) për të emigruar”, thuhet në raportin e GAP-it, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, bëhet e ditur se sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme janë ai i ndërtimtarisë me 18.7 për qind, hotelerisë dhe gastronomisë me përqindje të njëjtë, sektori i tregtisë me 18.1 për qind dhe sektori i prodhimit me 12.9 për qind.

“Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në këta sektorë pritet rritje e pagave krahasuar me sektorët tjerë. Në vitin 2023 vërehet të ketë pasur ndryshim të pagave në tregun e punës në Kosovë, ku rreth 27.4% e të punësuarve të anketuar kanë raportuar rritje të pagave”.

“Rreth 45% e të anketuarve, në vitin 2023 ishin të punësuar me punë të rregullt (39.3% të punësuar në sektorin privat dhe 5.8% në sektorin publik). Arsyet ekonomike dalin të jenë mbizotëruese në marrjen e vendimit për të emigruar. Mbi 20% e personave që planifikojnë të emigrojnë kanë realizuar të hyra në muajin e fundit prej 301-450 euro, ndërkaq 32.9% nuk kanë realizuar fare të hyra. Shumica e qytetarëve që planifikojnë të emigrojnë janë persona që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm (57.7%)”, thuhet në raport.

GAP-i tha se destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4 për qind, e ndjekur nga Zvicra me 11.7 për qind dhe Austria me 5.3 për qind.