Janë bërë 17 vjet që kur botës iu prezantua telefoni revolucionar – iPhone.
iPhone ishte pajisja e parë me ekran të ndjeshëm në prekje dhe me internet. Steve Jobs, asokohe shefi i Appleit, pati prezantuar celularin duke shtangur botën. I prezantuar në janar të 2007-s, iPhone ndryshoi botën e teknologjisë dhe sjelljet e njerëzve.
“Nuk është vetëm pajisja më e mirë e krijuar ndonjëherë: Ndoshta është edhe më me ndikim, po ashtu”, pati shkruar “Wired” më 2018, në një historik për dekadën e parë të iPhoneit.
iPhone bëri revolucion me ekranin e ndjeshëm në prekje, kamerën dhe qasjen e lehtë në internet, në mesin e shumë veçorive që deri atë ditë nuk ekzistonin. Në atë ditë prezantimi, botës po i shfaqej iPodi me ekran të gjerë. Por audienca pati shpërthyer kur Jobs përmendi se krahas produkteve të reja po vjen edhe “një telefon revolucionar”.
“Nuk janë tri pajisje të ndara. Është një. Dhe po e quajmë iPhone”, pati thënë Jobs, në prezantimin që tashmë konsiderohet ndër më të veçantët në histori.
Gjenerata e parë e iPhoneit megjithatë ishte krejt ndryshe nga ajo e sotmja. Ishte shumë më i vogël se modelet e reja.
Ky telefon u shit në 6.1 milionë njësi nga prezantimi më 7 janar 2007 deri në daljen në treg më 29 qershor të atij viti.
Që nga prezantimi i telefonit, Apple ka shitur mbi 2 miliardë iPhone në total. Përllogaritet se çdo i dhjeti person ka një iPhone sot.
Falë iPhoneit dhe pajisjeve tjera, Apple është gjiganti më i madh teknologjik në botë.