Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, i ka dhënë një varg propozimesh ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimit, për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Rukiqi në letrën dërguar Bislimit ka thënë se presioni pozitiv i komunitetit të biznesit dhe angazhimi institucional e kanë qëllimin e ruajtjes së vendeve të punës dhe përkrahjen e biznesit për përballim më të lehtë të dëmeve të shkaktuara nga pandemia.
Sipas tij, OEK thotë se propozimet për draftin e parë të pakos së rimëkëmbjes ekonomike, janë të ndara në katër fusha.
Më poshtë gjeni propozimet e OEK-ut.
Likuiditeti
– Në periudhën e mbetur të këtij viti dhe në vitin 2021, të alokohen së paku 200 milionë euro, përmes Fondit për Garanci Kreditore. Kjo krijon një potencial për 600 milionë euro kredidhënie, me norma të ulëta të interesit dhe “greis” periudhë për fillimin e kthimit të kredisë, deri 1 vit, nga data e miratimit të kredive;
– Në periudhën e mbetur të këtij viti dhe në vitin 2021, të alokohen 100 milionë grante, që do të dedikohen, për investime në pajisje të reja, trajnim dhe ri-trajnim të stafit, certifikim, dhe skemë për përkrahje të punësimeve të reja (deri 10,000 euro për një vend të ri të punës);
– Pagesë të pjesshme të kostove të energjisë elektrike apo investimeve në efiçiencë të energjisë;
– Subvencionim të pagave (në vlerën 170 euro), për sektorët me rënie të dukshme të qarkullimit, së paku deri me 31 Gusht 2020;
– Kompenzim të qirave (50% të vlerës së kontratës), së paku deri me 31 Gusht 2020.
2) Aftësia konkurruese dhe integrimi në zinxhirët globale të furnizimit
– Grante për përgatitje të firmave për eksport: Deri 20,000 euro për kompani, të dedikuara për: ri-trajnim të stafit, implementim të masave mbrojtëse dhe standardeve të sigurisë dhe shëndetit për COV-19; implementim të standardeve ndërkombëtare dhe kritereve për eksport , promovim të kompanive dhe produkteve;
– Kredidhënie me 1% – 2% interes, për rritje të kapacitetit eksportues të sektori: i drurit, metaleve, plastikës, ushqimit dhe ICT-së;
– Pagesë të pjesshme të kostove të energjisë elektrike apo investimeve në efiçiencë të energjisë.
3) Dixhitalizimi
– Alokim të granteve për transformimin digjital të e kompanive dhe krijimin e platformave për E-Commerce – deri 10,000 euro për kompani.
4) Masat e lehtësirave tatimore dhe atyre jo-financiare
– “Pushime tatimore” deri në 5 vjet, varësisht nga vlera e investimeve, për investime të reja, përfshirë investimet e jashtme;
– TVSH në normën 0%, për inputet e prodhimit dhe pajisjet që blihen nga prodhuesit vendor;
– Normë e diferencuar e TVSH-së (8%), për sektorin e Turizmit, HoReCa-s, Patundshmërisë dhe Transportit;
– TVSH në normën 0%, për mjetet e reja transportuese;
– Stimulim i shopping-ut brenda vendit (tregtia me pakicë), duke mundësuar kthim më të lartë të TVSH-së, në periudha të caktuara kohore (vikende, sezoni e verës, festat e fundvitit);
– Favorizim të prodhimeve vendore në çdo blerje nga mjetet buxhetore;
– Falje të tatimit në qira dhe tatimit në pronë për sektorin e HoReCas, për periudhën e mbetur të vitit 2020;
– Program i amnistisë fiskale për të mundësuar formalizim të sektorëve, sidomos formalizmin e vendeve të punës.
Ai ka theksuar se ky është drafti i I-rë i propozimeve të Odës, duke u shprehur të gatshëm që në vazhdën e komunikimeve të ardhshme, të njëjtat t’i elaborojnë, duke i përfshirë edhe akterët tjerë institucionalë dhe përfaqësuesit e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.