Shtetet e Bashkuara presin që Serbia të zgjidhë rastin e djegies së ambasadës amerikane në Beograd dhe atë të vrasjes së vëllezërve Bytyçi, ka thënë ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Serbi, Anthony Godfrey.
Këto dy raste, kanë rënduar raportet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara, për vite me rradhë.
“Në takimet e mia të para me ministrat e Qeverisë së Serbisë, kam biseduar për të dyja rastet. Ne kishim një dialog të hapur, duke mos lënë pas dore asnjë temë. Pjesa më e madhe e ndihmës që Shtetet e Bashkuara i japin Serbisë ka të bëjë me sundimin e ligjit. Ne presim që këto raste të zgjidhen dhe autorët të dënohen”, tha Godfrey.
Ai këto komente i bëri gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje ndihme për Serbinë nga ana e Shteteve të Bashkuara, që kap vlerën e 20.3 milionë dollarë.
Ministrja për Integrime Evropiane në Qeverinë e Serbisë, Jadranka Joksimoviq, tha se secili proces i iniciuar do të ketë epilogun e tij.
Ajo deklaroi se është detyrë e autoriteteve që të përcaktojnë se kush është fajtor, dhe se Qeveria e Serbisë “nuk ka qenë kurrë jobashkëpunuese kur bëhet fjalë për ato dy raste”.
Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyçi janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.
Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyçi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.
Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.
Rezoluta për vëllezërit Bytyçi nuk i shqetëson figurat përgjegjëse në Serbi
Rasti tjetër, ka të bëjë me incidentin e 21 shkurtit të vitit 2008 në Beograd, kur pas një tubimi të organizuar nga qeveria për të kundërshtuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, një grup huliganësh hodhën gurë dhe objekte të tjera ndaj ambasadës së SHBA-së, me ç’rast ishte ndezur zjarr në objektin e ambasadës.