Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka kuptim të thuhet se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e brendshme e Kosovës kur kjo temë është diskutuar në Bruksel. Ai i është përgjigjur emisarit evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i cili e ka bërë një deklaratë të tillë.
Kurti në konferencë për media të mërkurën ka theksuar se ai ishte i gatshëm për nënshkrim në Bruksel, e se ndërkombëtarët e humbën shansën dhe ata duhet të pyeten pse.
Ka shtuar se BE-ja duhet të merret me letrën e Bërnabiqit ku thuhet se Serbia nuk do ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit.
“Me atë letër duhet të merremi… çka duhet të bëjmë me atë letër. Në dosjen e Brukselit ajo letër është pengesë kapitale. Le ta trajtojnë atë letër se pa u tërheq ajo letër nuk bëhet tërheqja nga zbatimi për marrëveshjen bazike. Më 18 mars unë kam propozuar të shkohet me draftstatutin, por na u tha jo. E tash përveç letrës së Bernabiqit ka edhe një qëndrim të ri që duhet adresuar që draftstatuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës. Atëherë pse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Pse e ngritni këtë në Bruksel. S’po e flasim në Bruksel, një temë më pak, po ecim përpara. Unë nuk mundem të bëj më shumë se sa të nënshkruaj”, ka thënë Kurti.
Në këtë konferencë, Kurti po ashtu ka thënë se “me aq sa di, nuk është e vërtetë” që ish-shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin, ka qenë së fundmi në veri.
Për kritikat ndaj punës së ekzekutivit sivjet, Kurti ka thënë se kritikat i merr me vëmendje dhe kujdes “sepse na ndihmojnë”.