Ndër institucionet e vetme që kishte kërkuar më shumë qartësi në procesin e formimit të Qeverisë gjatë punimeve përgatitore për draftimin e Kushtetutës ka qenë Zyra Civile Ndërkombëtare (ZCN), e cila nuk ekziston qe tetë vjet.
Kjo e dhënë konfirmohet në dosjen voluminoze të dokumenteve të quajtura “Punime përgatitore” me mbi 3 500 faqe, të cilat i ka hulumtuar gazeta. Por aty nuk tregohet se kur janë dërguar komentet, nuk përmbajnë ndonjë vulë, as si është vepruar me këtë propozim. Po ashtu mungojnë komentet shtesë, anash propozimeve, raporton KOHA.
Propozimet që pretendohet të jenë dërguar nga kjo zyrë, në kuadër të dosjes që për 10 vjet është mbajtur “sekret”, i referohen nenit 104, që në diskutimet fillestare ka qenë për krijimin e qeverisë. Aty përmenden edhe afatet që duhet vënë dhe konsultimet që duhet t’i paraprijnë caktimit të mandatarit.
“Procesi i formimit të Qeverisë duhet të qartësohet. Nëse qëllimi është që të miratohet e tërë Qeveria me një votim të Kuvendit, ashtu siç parashihet në paragrafin 2 të këtij neni, atëherë nuk ka nevojë që presidenti t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër, ashtu siç parashihet në paragrafin 1”, shkruan në këtë draft.
Më tej qartësime janë kërkuar sa i përket pikës që thotë se “….propozon kandidatin për kryeministër pas konsultimit…”. Fjala është për presidentin që “propozon kandidatin pas konsultimit” me partinë ose koalicionin fitues, siç është aktualisht në Kushtetutë.
“Koha që i jepet presidentit për ta bërë propozimin duhet të caktohet me Kushtetutë”, ka qenë propozimi i Zyrës Civile. Ky formulim nuk është përfshirë në draftin final dhe zyrtar të Kushtetutës.