Abazi: Prokurori i Shtetit do të duhej ta intervistonte Thaçin për deklaratat e tij

Presidenti Hashim Thaçi do të duhej të intervistohet  për deklaratat që po bën rreth kërcënimit të bërë ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Kështu është shprehur zëvendëskryeministri Haki Abazi, duke shtuar se Thaçi po prentendon të jetë mbi ligjin, njofton Klan Kosova.

“Të gjitha deklaratat e Presidentit, bashkë me atë të para disa ditëve për Behgjet Pacollin do të duhej të thirrej në prokurori për të parë se kush i ka këto informacione. Nuk është hera e parë që jep deklarata të pavërteta Thaçi pretendon se është mbi ligjin”.

“Dalja në Shqipëri dhe deklarimet e tij të rrejshme dhe akuzat mbi akuza se Kurti e ka shkruar vet kërcënimin. Prapë po them se shteti nuk mund të sfidohet në këtë formë. Duhet të merret në pyetje se ku i ka burimet për këtë çështje”, është shprehur Abazi në Edicionin Special.

“Është hera e dytë që brenda javës Presidenti thotë se ka informacione për atë çfarë po ndodhë – sulmin mbi Kurtin duke thënë se ka informacione të plota se nga ka ardhur. Është brengosëse nëse Prokurori i Shtetit nuk vepron për ta marrë në pyetje sepse më këto deklarata po sfidohet shteti dhe institucionet”.

Sipas Abazit, Thaci me deklarata e tij po tendon të ngris tension në vend.